Segmenti 7 - Kuqishtë - Milishevc
Kjo ecje malore shpie nëpër një segment me pjerrësi të lehtë, i cili çon në Liqenin e Kuqishtës (1,850 m) dhe Liqenin e Drelajve (1,800 m), në pjesën juglindore të fshatit Kuqishtë. Ky shteg përshkon Lugun e Shkodrës dhe vazhdon të ngjitet në Qafën e Jelenkës (2,270 m), duke kaluar Bjeshkën e Milishevcit dhe ofruar pamje mbresëlënëse gjatë gjithë rrugës. Gjatë udhëtimit, shijoni manaferrat e egra dhe burimet natyrore, përpara se të ndaloni tek bujtina e ngrohtë Lojza (1,674 m), e cila ndodhet në Zllonopojë, ku mund të gjeni akomodim tradicional dhe kuzhinë të shijshme rajonale. Një alternativë tjetër për akomodim është Guesthouse Roshkodoli,Kulla Guesthouse, ose Bujtina Chalet Rusta. Ky shteg është ideal për ecje ditore ose si një pikënisje për “Via Dinarica Kosovë”, duke theksuar një shumëllojshmëri peizazhesh, nga pyjet e qeta deri tek terrenet sfiduese, me ngjitje drejt Milishevcit dhe Zllonopojës. Kini kujdes të shtuar në Qafën e Jelenkës, ku një tabelë tregon drejtimin për Lojzën, një devijim prej 4.5 km që nuk përfshihet në shtegun e “Via Dinarica Kosovë”. Tutje kërkoni një kthesë djathtas, ku shenjat e shtegut mund të jenë të paqarta, por ndërsa i afroheni fshatit, shtegu bëhet më i dukshëm, duke ofruar një udhëtim emocionues.