Skip to main content

Parku Kombëtar Bjeshkët e Nemuna shtrihet në një sipërfaqe prej 63,028 hektarësh në rajonin perëndimor të Kosovës, duke përfshirë komunat e Deçanit, Junikut, Istogut, Pejës dhe Gjakovës. Ky park, i mbrojtur me ligj, synon të ruajë ekosistemet e pasura, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore të rajonit.

Si pjesë e vargmalit të Alpeve Shqiptare, që janë një segment i sistemit më të gjerë malor Dinarik, Bjeshkët e Nemuna dallohen për majat e larta dhe mbresëlënëse, pyjet e dendura dhe grykat e thella. Kjo zonë ofron mundësi të shkëlqyera për aktivitete në natyrë, përfshirë ecjet malore, ngjitjet dhe fotografinë e natyrës.

Pasuria e florës dhe faunës së parkut përfshin mbi 37 lloje gjitarësh, 148 lloje shpendësh dhe një shumëllojshmëri fluturash, duke e shndërruar këtë zonë në një parajsë për adhuruesit e natyrës. Parku gjithashtu luan një rol të rëndësishëm si një destinacion turistik, duke lidhur natyrshëm Pejën, Deçanin dhe Junikun në një rrugëtim unik të biodiversitetit dhe peizazheve të paprekura.

Rugova: Kryevepra natyrore e Kosovës

Bjeshkët e Rugovës, të vendosura në veriperëndim të Pejës, janë një rajon malor i jashtëzakonshëm, i njohur për pasuritë natyrore si majat e larta, liqenet dhe kullotat alpine, si dhe për florën dhe faunën e larmishme. Në zemër të këtij rajoni ndodhet Gryka e Rugovës, një peizazh i mrekullueshëm, i përshkuar nga Lumbardhi i Pejës, një lumë me ujë të kristaltë që buron nga thellësitë e Bjeshkëve të Rugovës.

Lumbardhi ndan Grykën në dy pjesë madhështore, me shkëmbinj mbresëlënës që ngrihen deri në 2,000 metra mbi nivelin e detit. Gryka e Rugovës shquhet për formacionet shkëmbore spektakolare, ujëvarat e freskëta dhe shpellat e shumta, duke u kthyer në një atraksion të veçantë turistik dhe një monument natyror të mbrojtur.

Bjeshkët e Rugovës ofrojnë një gamë të gjerë aktivitetesh malore, përfshirë ecje në natyrë, ngjitje, kamping dhe sporte dimërore si skijimi dhe skialpinizmi. Në të njëjtën kohë, Gryka e Rugovës qëndron si zemra e këtyre bukurive, duke tërhequr vizitorë me peizazhe të mahnitshme dhe aktivitete aventuriere si via ferrata, zip line dhe eksplorim i shpellave.

Rugova përfaqëson një kryevepër natyrore të Kosovës, ku bukuria dhe aventura bashkohen për të ofruar një përvojë të paharrueshme për çdo vizitor.

Malet e Deçanit: Një Thesar Malësor

Malet e Deçanit janë një prej perlave të Kosovës perendimore, duke ofruar një përvojë unike malore të mbushur me pamje magjepsëse, liqene akullnajore me ujë të kristaltë dhe pyje të dendura. Kjo zonë malore është e njohur për majat e saj të larta, si Maja e Mariashit (2,533 m mbi nivelin e detit) dhe Maja e Rupës (2,501 m mbi nivelin e detit), të cilat tërheqin bjeshkatarët dhe adhuruesit e natyrës.

Livadhet e gjera alpine dhe peizazhet e gjelbëruara shërbejnë si strehë për florën dhe faunën e rrallë, duke e bërë këtë rajon një destinacion ideal për eksplorim dhe ekoturizëm. Shumësia e shtigjeve malore ofron mundësi për ecje, ngjitje dhe eksplorim, duke zbuluar bukuri të paprekura që përçojnë qetësinë dhe madhështinë e natyrës.

Përveç pasurive natyrore, kjo zonë është e ndërthurur me kulturën dhe historinë lokale, duke i shtuar vizitës një dimension të thellë ku natyra dhe trashëgimia kulturore krijojnë një harmoni të veçantë. Malet e Deçanit plotësojnë mozaikun natyror të rajonit malor perëndimor të Kosovës, duke u bërë një thesar i çmuar për të gjithë ata që kërkojnë aventurë dhe lidhje me natyrën.

Bjeshkët e Junikut: Parajsë Alpine

Të vendosura brenda Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna, në trekufirin mes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, Bjeshkët e Junikut janë një parajsë alpine e paprekur që spikat për majat e saj shkëmbore, pyjet e dendura, luginat e blerta, lumenjtë dhe përrenjtë me ujë kristalor, si dhe burimet e pasura ujore.

Një ndër veçoritë e kësaj komune është jeta verore e komunitetit lokal në bjeshkë. Kjo përfshin traditën shekullore të ngjitjes së bagëtive, veçanërisht të deleve, në kullota alpine, e shoqëruar me aktivitete tradicionale si qethja e deleve, djegia e dëllinjave dhe përgatitja e zhdjergave. Këto praktika, tashmë të përfshira në Listën e Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s, mishërojnë një lidhje unike dhe të thellë mes njeriut dhe natyrës.

Rajoni përfshin gjithashtu majën më të lartë në Kosovë, Gjeravicën (2,656 m), si dhe majën e Rrasës së Zogut (2,259 m), të cilat ofrojnë pamje mahnitëse dhe janë strehë të sigurta për florën dhe faunën e rrallë. Me peizazhe mbresëlënëse dhe një trashëgimi të pasur natyrore dhe kulturore, Bjeshkët e Junikut përbëjnë një thesar të vërtetë për dashamirësit e natyrës dhe aventurës.

Udhëzime për një përvojë të paharrueshme dhe të sigurt në ecje malore

Për të përfituar sa më shumë nga aventura juaj në ecje malore, ne ju rekomandojmë fuqimisht të kontaktoni guida dhe operatorë turistikë të çertifikuar dhe profesionistë.

Më pëlqen të ec në male, por duke e bërë këtë në shoqërinë e guidave të ditura dhe me përvojë, përvoja u bë edhe më e këndshme! Peizazhet mahnitëse që kaluam e shndërruan çdo hap në një kujtim të paharrueshëm.

Ecja nëpër malet e Kosovës ishte një përvojë e paharrueshme: natyrë e virgjër, pamje mahnitëse dhe një ndjenjë e madhe lirie”;

Nuk do ta kisha menduar kurrë Kosovën si një destinacion udhëtimi… Sot, mund të them sinqerisht se është një nga zbulimet më të bukura që kam bërë ndonjëherë!”;