Gacaferi Towards Ćafa Bogićes
Kulla - Rosolia couloir
Segmenti 3 - Shtedim-Hajlë
Ky segment i shtegut “Via Dinarica Kosovë”, i cili shtrihet përgjatë kufirit Kosovë-Mali i Zi, ofron një gërshetim harmonik të bukurisë panoramike dhe aventurës. Segmenti prej 11.2 km kalon përmes një relievi të valëzuar lehtësisht, duke kaluar nëpër kullosa të gjera dhe terrene shkëmbore, me një ngjitje të vazhdueshme, por të moderuar në lartësi. Segmenti fillon pranë staneve të Shtedimit dhe shtrihen përmes kullosave të gjera dhe shkurreve të rralla, duke u ngjitur gradualisht drejt majës madhështore të Hajlës. Në pjesën e tij fillestare, ky segment kalon nëpër një kombinim të kullosave dhe pyjeve, duke ofruar pika pushimi dhe pamje magjepsëse të Hajlës dhe peizazheve në afërsi të Malit të Zi. Një devijim i rekomanduar majtas ofron një shteg më të lehtë dhe më të dukshëm drejt Qafës së Poshtme të Hajlës. Maja e Hajlës (2,403 m) është një nga majat më të spikatura të Bjeshkëve të Nemuna, që shtrihet buzë kufirit Kosovë-Mali i Zi. Hajla përfshin edhe maja më të vogla, si Hajla e Shkrelit dhe Hajla e Pepiqit, që tërheqin shumë bjeshkatarë dhe adhurues të natyrës. Ngjitja përfundimtare përmes terrenit shkëmbor ofron pamje të Bjeshkëve të Rugovës dhe shkëmbinjve të mbuluar me bimësi alpine. Me arritjen në bujtinën ERA Lodge, bjeshkatarët do të mirëpriten ngrohtësisht nga pronari karizmatik i saj, në një atmosferë të pasuruar, që ndërthur komoditetin me bukurinë natyrore.
Segmenti 4 - Hajlë-Bogë
Udhëtimi nga Hajla drejt Bogës u ofron bjeshkatarëve një segment joshës prej 8.1 km, me vështirësi mesatare, që zbulojnë bukurinë natyrore të maleve të Kosovës. Segmenti nis nga Hajla me një ngjitje të qëndrueshme përmes livadheve të pasura me lule të egra, bimë murrizi dhe shkurre boronice, duke kaluar Hajlën e Dramadolit, Hajlën e Koshutanit dhe Hajlën e Shkrelit. Ngjitja hapet në një kreshtë të butë, që ofron ecje të lehtë dhe pamje panoramike të masivit të Çfërlës dhe Kopranikut. Në gjysmën e rrugës, segmenti kalon nëpër një kullosë të gjerë dhe të hapur, ku disa shenja të vjetra herë pas here udhëzojnë bjeshkatarët drejt një zone të pyllëzuar. Segmenti kërkon kujdes teksa kalon nëpër këtë pyll të ri; edhe pse i pastruar kohët e fundit, gjurmët e jetës së egër, përfshirë shenjat e arinjve, i kujtojnë bjeshkatarëve ekosistemin aktiv që i rrethon. Rekomandohet të shmanget ecja vetëm dhe të ruhet vigjilenca. Kalimi nëpër pyll, nën hijen e pishave të reja, shton një element freskie, ndërsa aroma e pishave dhe cicërimat e zogjve pasurojnë përvojën. Tatëpjeta i shpie bjeshkatarët drejt livadheve më të gjera, ku shfaqen pamje madhështore të Bjeshkëve të Rugovës dhe majave përreth. Këtu, shkurret e shpërndara të boronicave të joshin për një ndalesë të shkurtër, ndërsa takimet me barinjtë dhe mbledhësit e boronicave ofrojnë një vështrim mbi mënyrën tradicionale të jetesës së zonës. Segmenti vijon drejt pjesës përfundimtare të zbritjes, që përfundon në Qafën e Dasmorëve, një zonë e mbuluar nga pisha të larta dhe vegjetacion i harlisur. Një ndalesë tek Kroni i Sadikut ofron një çlodhje freskuese para se të mbërrini në Bogë. Me bujtinën e mirëmbajtur dhe mikpritjen e ngrohtë që ju pret tek Rudi Alp House në Bogë, ky segment ndërthur qetësinë natyrore dhe pasurinë kulturore të peizazheve të Kosovës, duke e shndërruar në një përvojë të paharrueshme për bjeshkatarët.
Segmenti 5 - Bogë-Haxhaj
Segmenti nga Boga deri në Haxhaj, që përshkon rreth 15 kilometra, ofron një nga ecjet më piktoreske dhe interesante përgjatë Via Dinarica, ku vazhdimisht ndodheni në vijën kufitare Kosovë-Mali i Zi. Segmenti vazhdon nëpër fshatin Bogë deri në arritjen tek Qafa e Dasmorëve, ku vazhdohet nga krahu i majtë. Nga Qafa e Dasmorëve, ky shteg me vështirësi mesatare nis me një ngjitje të lehtë, duke zbuluar gradualisht livadhe ku bagëtitë kullosin mes grupe pishash të reja. Peizazhi përshkohet nga një ndjesi magjike, duke udhëhequr bjeshkatarët përmes pemëve qindra vjeçare, të gdhendura nga shekujt, livadheve të mbushura me lule të egra dhe pyjeve të paprekura, duke krijuar një udhëtim paqësor, por edhe të pasur me aventura. Seksioni fillestar i segmentit, i dendur me bredha dhe pisha, gjarpëron përmes një terreni të errësuar, me një përzierje ngjitjesh dhe zbritjesh, që kërkojnë kujdes gjatë navigimit. Përmirësimet e fundit në shënjimin dhe pastrimin e segmentit e kanë bërë më të lehtë për t'u ndjekur, por këpucët e duhura të ecjes janë thelbësore për shkak të terrenit jo të sheshtë dhe herë pas here shkëmbor. Seksioni i mesëm përmbush bjeshkatarët me pamje të pyllit përreth, herë pas here të ndërprera nga hapësira që pasqyrojnë pamje panoramike të ashpra malore. Segmenti kalon nëpër peizazhe më të hapura, duke i drejtuar bjeshkatarët përbri kreshtës që ndodhet pranë kufirit me Malin e Zi. Këtu vijnë në pah pamje madhështore të majave të larta që rrethojnë horizontin. Terreni ndryshon, duke ndërthurur kullota të gjëra, grupe pishash të lashta dhe fusha me lule alpine, të cilat i shtojnë larmi ngjyrash dhe e pasurojnë më tej këtë peizazh mbresëlënës. Pjesa e fundit përpara arritjes në Haxhaj çon drejt një rruge 4x4 të qasshme edhe për makinë, duke mundësuar një zbritje më të lehtë drejt destinacionit. Segmenti përfundon tek Shkambi A. Resort, ku bjeshkatarët mirëpriten nga një burim i freskët malor me “nivele posaçërisht të larta të pH-së”—një vend ideal për t’u rigjallëruar pas një udhëtimi të suksesshëm. Ky segment nxjerr në pah bukuritë malore të Kosovës Perëndimore dhe ofron një përvojë të paharrueshme përmes ekosistemeve të larmishme dhe peizazheve piktoreske. Bjeshkatarët këshillohen të bartin ujë me vete, një mantel shiu dhe mjete bazë navigimi për ta bërë këtë rrugëtim më të sigurt.


