Skip to main content

Segmenti 12 – Deçan – Bjeshka e Madhe

By

Segmenti 12 - Deçan - Bjeshka e Madhe

Segmenti i 12-të i “Via Dinarica Kosovë” fillon nga Qendra e Informacionit Turistik "Visit Deçani" dhe shtrihet për 11.1 kilometra, duke ofruar një udhëtim përmes disa prej peizazheve më të bukura të rajonit. Ky shteg kalon përmes gjelbërimit të dendur që tërheq drejt natyrës së paprekur. Një nga ndalesat e para të shquara është Podi i Gështenjave, një zonë atraktive e mbuluar me pemë të vjetra gështenje, që u ofron bjeshkatarëve një lidhje të afërt me historinë dhe ajrin e freskët të kësaj zone. Ndërsa udhëtimi vazhdon, shtegu udhëheq drejt Bjeshkës së Madhe, një mal madhështor që dominon horizontin. Burimet natyrore të ujit dhe gjelbërimi i vazhdueshëm ofrojnë pika ideale pushimi për t’u freskuar me ujë të pastër malor.

Pjesa më spektakulare e këtij shtegu janë pamjet e jashtëzakonshme malore, ku çdo kthesë zbulon horizonte të reja. Bjeshkatarët mund të shijojnë pamjet e Gjeravicës, majës më të lartë në Kosovë, si dhe Malet e Junikut dhe Majën e Rupës. Për më tepër, shtegu kalon në një zonë të pasuruar me florë dhe faunë, duke u dhënë bjeshkatarëve mundësinë të vështrojnë një larmi të botës bimore dhe jetës së egër, duke krijuar një përvojë harmonike me natyrën e këtij rajoni.

Segmenti 10 – Gropa e Erenikut-Koshare

By

Segmenti 10 - Gropa e Erenikut-Koshare

Ky segment i Via Dinarica Kosovë fillon nga Gropa e Erenikut, një zonë e mbrojtur nga pishat e llojit molika, të njohura për reduktimin e polenit. Segmenti kalon në një terren piktoresk drejt Koshares, një destinacion me bukuri natyrore dhe rëndësi historike.

Udhëtimi fillon me një ngjitje të lehtë drejt Qafës së Sylbicës duke ofruar pamje panoramike të Majës së Gjeravicës, maja më e lartë e Kosovës (2,656 metra), si dhe të Majës së Shkelzenit (Shqipëri). Në Majën e Rrasës së Zogut, bjeshkatarët mund të shohin lloje të veçanta zogjsh që kontribuojnë në dinamikën e peizazhit. Rrasa e Zogut është njëherazi streha e sigurt e zogjve, nga e cila ka marrë emrin.

Ecja vazhdon përmes bjeshkëve, duke kaluar rreth Ujëzës dhe më pas në Gjocaj, përmes livadheve të gjelbra, luginave të gjelbruara dhe burimeve të shumta të ujit. Peizazhi kalon nga livadhet në shtigje shkëmbore me manaferra, boronica dhe fruta të tjera të egra të malit, me kope bagëtish, duke ilustruar bashkëjetesën e natyrës së egër me barinjët dhe kopetë e tyre. Një burim malor përgjatë segmentit ofron mundësi për pushim, përpara zbritjes finale, ku bjeshkatarët hasin përrenj dhe ujëvara brenda pyllit të Koshares.

Kosharja ofron jo vetëm bukuri natyrore, por edhe një trashëgimi historike të thellë. Memorialet e heronjve të luftës në këtë zonë shërbejnë si kujtesë e rëndësishme për të kaluarën e Kosovës, por edhe si një simbol krenarie dhe dinjiteti për të ardhmen. Bjeshkatarëve u këshillohet të ndjekin me përpikëri shenjat e segmentit, duke pasur parasysh historinë e konfliktit në rajon.

Ky segment i shtegut paraqet një kombinim të natyrës dhe historisë, ideal për ata që kërkojnë aventurë dhe një lidhje më të thellë me peizazhin dhe trashëgiminë e Kosovës.

Segmenti 7 – Kuqishtë – Milishevc

By

Segmenti 7 - Kuqishtë - Milishevc

Kjo ecje malore shpie nëpër një segment me pjerrësi të lehtë, i cili çon në Liqenin e Kuqishtës (1,850 m) dhe Liqenin e Drelajve (1,800 m), në pjesën juglindore të fshatit Kuqishtë. Ky shteg përshkon Lugun e Shkodrës dhe vazhdon të ngjitet në Qafën e Jelenkës (2,270 m), duke kaluar Bjeshkën e Milishevcit dhe ofruar pamje mbresëlënëse gjatë gjithë rrugës.

Gjatë udhëtimit, shijoni manaferrat e egra dhe burimet natyrore, përpara se të ndaloni tek bujtina e ngrohtë Lojza (1,674 m), e cila ndodhet në Zllonopojë, ku mund të gjeni akomodim tradicional dhe kuzhinë të shijshme rajonale. Një alternativë tjetër për akomodim është Guesthouse Roshkodoli,Kulla Guesthouse, ose Bujtina Chalet Rusta.

Ky shteg është ideal për ecje ditore ose si një pikënisje për “Via Dinarica Kosovë”, duke theksuar një shumëllojshmëri peizazhesh, nga pyjet e qeta deri tek terrenet sfiduese, me ngjitje drejt Milishevcit dhe Zllonopojës. Kini kujdes të shtuar në Qafën e Jelenkës, ku një tabelë tregon drejtimin për Lojzën, një devijim prej 4.5 km që nuk përfshihet në shtegun e “Via Dinarica Kosovë”. Tutje kërkoni një kthesë djathtas, ku shenjat e shtegut mund të jenë të paqarta, por ndërsa i afroheni fshatit, shtegu bëhet më i dukshëm, duke ofruar një udhëtim emocionues.

Segmenti 13 – Bjeshka e Madhe – Liqeni i Zemrës

By

Segmenti 13 - Bjeshka e Madhe - Liqeni i Zemrës

Në fund të segmentit të 12-të, fillon segmenti i 13-të, i cili të çon në Majën e Logut të Prelës, e cila ngrihet 2,305 metra mbi nivelin e detit dhe shtrihet për një gjatësi prej 8.3 kilometrash. Kjo majë ofron pamje marramendëse dhe një sfidë unike për bjeshkatarët dhe entuziastët e natyrës, me horizonte të larta dhe të hapura që mbulojnë të gjithë rajonin përreth. Segmenti 13 nis nga Bjeshka e Madhe, duke u lidhur me Pllaqicën e Vokshit dhe Liqenin e Zemrës, një rrugë që ofron burime uji, liqene dhe një atmosferë të jashtëzakonshme. Bjeshkatarët mund të pushojnë në bujtinat e Pllaqicës së Vokshit, duke shijuar pamjet panoramike përgjatë rrugës.

Segmenti 11 – Koshare-Junik

By

Segmenti 11 - Koshare-Junik

Segmenti nga Kosharja për në Junik ofron një udhëtim të paharrueshëm përmes bjeshkëve të Dukagjinit, duke kombinuar natyrën mbresëlënëse me ndërtimet e gurit të asaj kohe, të cilat kanë një rëndësi të jashtëzakonshme historike ndër breza. Duke filluar nga kreshtat e ashpra të Koshares, bjeshkatarët mirëpriten nga pamje madhështore të Kosovës dhe Alpeve Shqiptare. Rruga gjarpëron nëpër shkëmbinj të thepisur, lugina të thella, duke kaluar gradualisht në peizazhe më të buta, si dhe fshatrat turistike Gjocaj dhe Jasiq, të mbushura me kasolle të gurta barinjsh dhe kullosa tradicionale alpine.

Në tatëpjetë të segmentit, pyjet e harlisura dhe përrenjtë e rrjedhshëm udhëheqin rrugën, duke ofruar momente qetësie dhe reflektimi. Duke kaluar përmes këtyre peizazheve të paprekura, bjeshkatarët më në fund arrijnë në qytetin historik të Junikut, i njohur për trashëgiminë e tij të pasur kulturore dhe mjedisin piktoresk.

Ky udhëtim shpalos sfidat fizike të bjeshkëve, bukurinë mahnitëse të mjedisit natyror dhe historinë prekëse të Koshares, duke e bërë atë një udhëtim frymëzues dhe të paharrueshëm për aventurierët dhe entuziastët e historisë. Më pas, të apasionuarit e trashëgimisë mund të vizitojnë  kullat e Junikut, të cilat me krenari ruajnë sekretet e kohës së kaluar.

Dhe për fund: Mirë se vini në Kullat e Junikut, freskohuni me ujin e Erenikut, pushoni në Moronicë, ngjituni në Gjeravicë – fillimi i segmentit 11 të Via Dinarica.

Segmenti 9 – Gacafer-Gropa e Erenikut

By

Segmenti 9 - Gacafer-Gropa e Erenikut

Segmenti nga Gacaferi tek Pllaqica e Junikut deri te Gropa e Erenikut ofron një përvojë të larmishme terrenesh dhe pamjesh. Ky segment ruan me fanatizëm përjetimet e kohës së kaluar, duke ofruar mundësinë e përjetimit të kaluarës së dhimbshme, tashmes dhe të ardhmes premtuese.

Udhëtimi fillon me një ngjitje të lehtë përmes pyjeve me pisha, për të vazhduar tek magjia e Liqenit të Tropojës. Pas kësaj, segmenti kalon në një pjesë kryesisht të sheshtë, dhe vazhdon me një ngjitje të dytë që përfundon me një zbritje panoramike, duke ofruar pamje të jashtëzakonshme të natyrës së egër. Në pikat më të larta, ofrohen pamje të bukura të liqeneve si Liqeni i Tropojës, Liqeni i Zemrës dhe Liqejt e Gjeravicës, që ndodhen pranë Majës së Gjeravicës (2,656 m), e cila është njëkohësisht burimi i lumit Erenik.

Tabelat orientuese, të shtuara rishtazi, lehtësojnë navigimin, sidomos në kthesa si ajo te Qafa e Ali Qelës. Nga kjo pikë, segmenti zbret drejt Liqenit të Zemrës, duke ofruar pamje tërheqëse që pasqyrojnë bukurinë natyrore të bjeshkëve. Tabelat informuese theksojnë karakteristikat unike të Meleve Dinarike, duke e pasuruar përvojën e bjeshkatarëve.

Në Liqejt e Gjeravicës, segmenti ndahet në dy drejtime: njëri për në Deçan dhe tjetri drejt Gjeravicës, maja më e lartë e Kosovës në 2,656 metra. Ngjitja në këtë pikë ofron pamje të jashtëzakonshme, duke shijuar magjinë e burimit të lumit Erenik, i cili krijon një atmosferë të freskët, duke mundësuar përjetimin e katër stinëve të vitit brenda disa orësh. Për ata që preferojnë një rrugë më të thjeshtë, zbritja pas disa kilometrave kalon përmes livadheve dhe peizazheve panoramike të barinjve me kope delesh, të mishëruara me natyrën, derisa arrin te Gropa e Erenikut. Ky segment përfundimtar, me bagëti që kullosin dhe pamje malore, ofron një përmbyllje mahnitëse për këtë udhëtim në zemër të Kosovës.

Segmenti 2 – Lipë-Shtedim

By

Segmenti 2 - Lipë-Shtedim

Lipa, një fshat i bukur dhe i qetë afër Pejës, ofron një përvojë të relaksuar ecjeje, i rrethuar nga Bjeshkët e Pejës dhe ato të Sejnovës. Rruga kalon përmes ndryshimeve të moderuara në lartësi, duke ofruar peizazhe të gjalla dhe pamje që shtrihen gjerë e gjatë.

E njohur për shpellat e saj të fshehura, Lipa është një destinacion ideal për kuriozët dhe aventurierët. Ky segment i shtegut është mirëmbajtur, me një terren që ngritet gradualisht përmes pyjeve dhe çon drejt shpellave mbresëlënëse, të cilat ofrojnë pamje mahnitëse që të lënë pa frymë.

Ky segment kalon nëpër terrene shkëmbore dhe fusha shkurrore me lule të egra dhe boronica, duke ofruar një ecje të këndshme dhe panoramike me vështirësi mesatare. Gjatë rrugës, mund të shihni bimë alpine të rralla dhe gjurmë kafshësh. Peizazhi është i pasur me pyje halore, sidomos pisha, që krijojnë një kontrast të bukur, sidomos në vjeshtë.

Në shtegun e lashtë të Rusolisë, mund të shijoni pamje mahnitëse, të kalitura nëpër gurë të vjetër, sa vetë jeta. Pyjet e ahut dhe bredhit, pjesë e Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna, i japin një bukuri të veçantë këtij segmenti. Këtu mund të identifikoni një ndër lulet më të veçanta dhe endemike për zonën, të njohur si Ylli Alpin ose “Edelweiss”. Ngjitja drejt Qafës së Rusolisë është sfiduese, por shpërblehet me formacione shkëmbore mbresëlënëse dhe shpella të mëdha që mund të eksplorohen.

Ndërsa shtegu vazhdon, ai çon tek burimi natyral Hasan Delia, ku mund të furnizoheni me ujë të pastër. Rruga drejt Shtedimit kalon përmes kullosave alpine dhe ofron pamje të bukura të majës së Hajlës. Si alternativë akomodimi, janë Stanet e Loxhës të familjes Morina, apo kampistët mund të kalojnë natën nën yje ose të vazhdojnë drejt Hajlës për të qëndruar në bujtinën ERA Lodge.

Ky segment i shtegut “Via Dinarica Kosovë” ndërthur bukuritë natyrore dhe aventurën, duke ofruar një udhëtim të paharrueshëm për bjeshkatarët dhe dashamirësit e natyrës.


Segmenti 1- Pejë-Lipë

By

Segmenti 1- Pejë-Lipë

Ky segment, i cili nis nga qyteti i Pejës dhe përfundon në fshatin malor Lipë, ofron një udhëtim nëpër peizazhe të pasura dhe të larmishme, duke krijuar një aventurë të paharrueshme në natyrë.

Rruga fillon nga zemra e qendrës historike të Pejës, pikërisht tek Pika e Informacionit për turistët. Teksa largoheni nga qyteti, rrugët e shtruara fillojnë të zhduken, duke u zëvendësuar nga sgemente natyrore që kalojnë pranë Majës së Zezë, një zonë që ofron një hapësirë të qetë pushimi në një lëndinë të bukur. Kjo është vendi ideal për një ndalesë të shkurtër, ku mund të shijoni paqen dhe freskinë e natyrës.

Më tej, segmenti vazhdon përmes pyjeve të dendura me pisha, duke u hapur më pas drejt pamjeve mahnitëse të peizazhit malor. Pasi të përshkoni këtë pjesë, do të kaloni në një pyll të dytë që krijon një atmosferë relaksuese. Rrezet e diellit që depërtojnë përmes gjethnajës dhe cicërimat e zogjve e bëjnë këtë pjesë të shtegut veçanërisht të këndshme.

Pasi segmenti ribashkohet me rrugën e shtruar, një ecje e shkurtër do t'ju çojë në destinacionin përfundimtar: fshatin piktoresk Lipë.

Në Pejë mund të akomodoheni në Bora Guesthouse ose në Hotel Stone Bridge, dy vende që ofrojnë komoditet dhe janë ideale për të kombinuar ture malore me eksplorimin e qytetit të Pejës dhe natyrës përreth.

Segmenti 8 – Milishevc – Cacafer

By

Segmenti 8 - Milishevc - Cacafer

Ky segment prej 18 km nga Milishevci (Lojza) nëpër Roshkodol deri tek Gacaferi Guest House në Pllaqicën e Junikut ofron një përvojë të veçantë për bjeshkatarët, duke përfshirë peizazhe të larmishme dhe terren të lehtë. Ecja fillon me një ngjitje të lehtë përmes luginës së Roshkodolit, duke kaluar pranë bjeshkës së Belegut dhe vazhdon drejt Qafës së Bogiqes, për të arritur Liqenin e Tropojës, një vend ideal për ndalesë dhe freskim. Tutje segmenti merr një kthesë majtas, pranë majës së Bogiqës, dhe ofron pamje spektakolare nga burime uji, liqene, dhe kanione.

Rruga kalon përmes luginave dhe segmenteve pyjore me pisha, duke ofruar mundësi për të shijuar burime të shumta ujore si Liqeni i Tropojës dhe Liqeni i Keq. Ky segment është i përshtatshëm për bjeshkatarë të të gjitha niveleve, dhe përfundon në një akomodim komod në Gacaferi Guest House, i vendosur në pllaqicën e Junikut – Stanishta e Tropojës.

Ky shteg kalon nga Zllonopoja (Lojza), përmes Roshkodolit (Bujtina Roshkodoli), dhe vazhdon drejt Gacaferi Guest House, duke ofruar një udhëtim të veçantë dhe lehtësisht të navigueshëm. Shtegton pranë lumit të Lumbardhit të Deçanit, ndërsa rrethuar nga pisha halore dhe pemë gjetherënëse, bjeshkatarët mund të shijojnë freskinë e erërave malore dhe burimet natyrore. Peizazhet panoramike të Majës së Belegut dhe mundësitë për devijim drejt majave të tjera si Mariashi (2,533 m) dhe Rupa (2,501 m) ofrojnë mundësi sfiduese për bjeshkatarët që kërkojnë aventurë. Tutje segmenti merr kthesë majtas, kalon nëpër pyje të dendura dhe ofron mundësi për ndalesa pranë burimeve ujore, përfshirë Kronin e Hamzës, duke ofruar një përvojë relaksuese dhe piktoreske deri në Gacaferi Guest House.


Segmenti 6 – Haxhaj – Kuqishtë

By

Segmenti 6 - Haxhaj - Kuqishtë

Ecja nga Haxhaj për në Kuqishtë shtrihet në 11.1 kilometra peizazhe malore, duke ofruar një rrugëtim të pasur me bukuri natyrore dhe sfida. Duke filluar në fshatin Haxhaj, ky segment i shpie bjeshkatarët përmes pyjeve të dendura gjetherënëse dhe livadheve të qeta, duke zbuluar horizonte të hapura të terrenit të ashpër të Kosovës me pamje mahnitëse të Majës së Licit, një nga pamjet më të veçanta të Grykës së Rugovës.

Ndërsa shtegu barazohet, bjeshkatarët gjejnë veten të zhytur në peizazhet e egra, nga tokat pyjore deri tek livadhet e gjallëruara, të stolisura me manaferra dhe bimë të ngrënshme, duke ofruar një përvojë freskuese gjatë rrugëtimit.

Udhëtimi vazhdon me një zbritje të pjerrët, por të qartë, në një segment prej 4x4 (i qasshëm për mjete transporti) para se të arrijë në zonën e Kuqishtës. Me burime të bollshme uji, seksione të hijëzuara dhe qasje në manaferrat e stinës, shtegu balancon aventurën me komoditetin, duke e bërë atë një përvojë të domosdoshme për adhuruesit e natyrës.

Shtegu përfundon pranë Kuqishtës, ku mund të shihni alternativat e vilës Oxygen apo Gjevukaj në Kuqishtë, ose Bujtina Kaçaku në Drelaj, Chalet Kujta në Shtupeq, ose Te Liqeni në Liqenat, të cilat mirëpresin bjeshkatarët me ngrohtësi për një pushim autentik malor.